1887

OECD Multilingual Summaries

Competitiveness in South East Europe

A Policy Outlook 2018

Summary in Albanian

Cover
Read the full book on:
10.1787/9789264298576-en

Në pjesën më të madhe të dekadës së fundit, ekonomitë e rajonit të Evropës Juglindore janë angazhuar për një program të plotë reformash, të nxitur nga nevoja për konkurrueshmëri më të lartë, bashkëpunim rajonal dhe qeverisje ekonomike më efektive. Pavarësisht një progresi të caktuar në zbatimin e reformave, rajoni i Evropës Juglindore përballet ende me nivele të larta papunësie, shkallë të ulëta të rritjes dhe një mori problemesh infrastrukturore, veçanërisht në sektorët e transportit dhe të energjisë.

Në kuadër të perspektivës për pranim në Bashkimin Evropian (BE), të konfirmuar nga Strategjia e miratuar së fundi e Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, si dhe të bashkëpunimit të mëtejshëm rajonal, ky raport, raporti i dytë në seri, ka si qëllim të ndihmojë ekonomitë pjesëmarrëse të zhvillojnë politika më të mira duke siguruar një vlerësim të thelluar të rendimentit ekonomik dhe konkurrueshmërisë rajonale në 17 dimensione të politikave. Gjatë prezantimit të këtij vlerësimi, OECD ka bashkëpunuar me gjashtë ekonomi të rajonit të Evropës Juglindore (Shqipërinë, Bosnje‑Hercegovinën, Ish‑Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Kosovën, Malin e Zi dhe Serbinë) nga fillimi i vitit 2016 deri në fillim të vitit 2018 për të ofruar ekspertizë dhe analiza të bazuara në prova, që kërkohen për të mbështetur procesin e reformave strukturore.

Ky botim ofron një raportim të zgjeruar për sfidat kryesore ekonomike dhe pengesat strukturore për konkurrueshmërinë në Evropën Juglindore. Raporti, i hartuar në bashkëpunim të ngushtë me qeveritë e Evropës Juglindore dhe me përfshirjen e mbi 1000 aktorëve rajonalë, bazohet në një sistem rigoroz të vlerësimeve cilësore dhe sasiore të politikave. Rezultati përfundimtar është një raport i zgjeruar që përfshin mbi 600 tregues individualë.

Që nga botimi i fundit i Competitiveness Outlook, ka pasur fusha me një progres të rëndësishëm. Gjashtë ekonomitë e Evropës Juglindore në vlerësim kanë miratuar strategji për përmirësimin e standardit të përgjithshëm të arsimit, kanë ndërmarrë veprime për heqjen e barrierave teknike për tregtinë dhe kanë ndërmarrë hapa për të vendosur mekanizma më të mirë financimi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME). Përpjekje të tjera po bëhen për zgjerimin e shërbimeve të internetit me bandë të gjerë dhe për eliminimin e “hendekut digjital”, për menaxhimin e mungesës së efikasitetit në sektorët e energjisë dhe bujqësisë dhe për trajtimin e sfidave demografike që sjell papunësia afatgjatë. Por pavarësisht nga këto arritje të rëndësishme, ka ende sfida të konsiderueshme social‑ekonomike për këto ekonomi, ndërsa ato vazhdojnë rrugëtimin e tyre drejt reformës strukturore dhe konkurrueshmërisë rajonale.

……

* Ky përcaktim vjen pa paragjykuar pozicionet për statusin dhe është në përputhje me Rezolutën 1244/99 të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara dhe Opinionin këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për deklaratën e pavarësisë së Kosovës.

Sfidat kryesore

Në të gjithë rajonin, një zbatim i dobët dhe monitorimi i papërshtatshëm vazhdojnë të jenë pengesë për reformat strukturore, ndërsa deficitet në kapitalin njerëzor dhe tregun e punës sjellin kufizime të kapacitetit për rritje ekonomike. Nivelet e ulëta të regjistrimit në arsimin parashkollor dhe një “hendek digjital” i vazhdueshëm kanë kontribuar për një hendek të aftësive rajonale, ndërsa financimi i ulët i vazhdueshëm për shkencën, teknologjinë dhe novacionin i pengon ekonomitë në rrugën e tyre të transformimit në shoqëri të bazuara te njohuritë. Shkenca, teknologjia dhe novacioni në ekonomitë e Evropës Juglindore vazhdojnë të mbeten prapa ekonomive të krahasueshme, ku kanë ndikuar negativisht edhe lidhjet e dobëta mes komunitetit të biznesit dhe atij akademik si dhe një nivel i lartë i "largimit të trurit” nga të rinjtë e diplomuar.

Në të gjashtë ekonomitë, mungesa e financimeve të biznesit e frenon rritjen ekonomike dhe pengon potencialin e tregut të lirë, ndërsa mungesa e efikasitetit në sistemet e menaxhimit dhe mbledhjes së taksave minojnë flukset e të ardhurave të qeverive. Këto mungesa efikasiteti strukturor kanë pasoja negative te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe nxitin aktivitetin informal. Për më tepër, zbatimi i dobët i politikës për konkurrencën ‑ sidomos në sektorët bankarë, të transportit dhe shërbimeve publike ku ka një përqendrim të lartë ‑ sjell kushte të pafavorshme në treg. Rajoni vuan po ashtu nga menaxhimi i dobët i ndërmarrjeve shtetërore, shmangia e lartë e taksave dhe zbatimi jo efektiv i masave kundër korrupsionit, dhe të gjitha këto dëmtojnë produktivitetin.

Rregulloret e tepërta tregtare për mallrat dhe shërbimet kanë rritur kostot operative për bizneset në ekonomitë e Evropës Juglindore, ndërkohë që kanë ndikuar edhe në fluksin e kapitalit të huaj. Pengesat e tjera përfshijnë infrastrukturën e transportit me një zhvillim të dobët dhe një treg jo efektiv të shërbimeve, ku ky i fundit është i karakterizuar nga nivele të larta të integrimit vertikal. Në fushën e qëndrueshmërisë, politikat ekonomike nuk arrijnë të ndihmojnë rritjen ekonomike në një mënyrë miqësore për mjedisin, duke komprometuar kështu shëndetin publik dhe konkurrueshmërinë afatgjatë.

Rruga drejt të ardhmes

Në tërësi, këto sfida përfaqësojnë një seri pengesash të vështira për rajonin. Për këtë arsye, është shumë i rëndësishëm zhvillimi i strategjive afatshkurtra dhe afatgjata për të garantuar zbatimin e politikave.

  • Rritja e aftësive dhe novacionit. Një prioritet kryesor për rajonin duhet të jetë investimi në formimin e kapitalit njerëzor dhe përmirësimi i efektivitetit të tregut të punës. Ekonomitë e Evropës Juglindore duhet të punojnë po ashtu për të promovuar pjesëmarrjen në arsimin parashkollor duke përmirësuar mundësitë për ndjekjen e arsimit. Për më tepër, qeveritë duhet të ndjekin një qëndrim holistik për të ndihmuar në transformimin drejt një shoqërie të bazuar te njohuritë, duke rritur mbështetjen për promovimin e ekselencës shkencore, thithjen e teknologjive, rritjen e sipërmarrjes dhe krijimin e shtysave për novacion, duke përfshirë dhe lidhur aktorët nga biznesi, nga sfera akademike, qeveria dhe shoqëria civile.
  • Ndihma për bizneset për rritje në një mjedis të favorshëm. Ekonomitë e Evropës Juglindore duhet t’í japim po ashtu prioritet aksesit në financime duke nxitur burime alternative të financimit dhe kapitalit të investimeve. Një angazhim për aksesin në financime do të sillte përfitime për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe do të përmirësonte kushtet për të gjithë pjesëmarrësit në treg, duke hapur tregjet e kreditit që janë mjaft të kufizuara. Në të njëjtën mënyrë, duhet të forcohen lidhjet e investimeve të huaja direkte me ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, duke u dhënë përparësi investimeve afatgjata dhe të qëndrueshme në sektorët krijues dhe të aftësive të niveleve të larta. Si përfundim, rajoni duhet të përqendrohet te koordinimi i luftës kundër korrupsionit, duke përfshirë ofrimin e një mbrojtjeje më të madhe për denoncuesit e tij në të gjashtë ekonomitë.
  • Zhvillimi i infrastrukturës që mbështet rritjen efikase dhe të qëndrueshme. Në planin afatmesëm, ekonomitë e Evropës Juglindore do të përfitojnë nga investimet e mëtejshme në infrastrukturë, duke përfshirë rindërtimin në sektorët e transportit dhe të energjisë. Në mënyrë të veçantë, janë të nevojshme reforma në sistemin hekurudhor dhe përmirësime në sistemet informatike për ta sjellë rajonin në të njëjtin nivel me praktikat më të mira të OECD‑së dhe standardet e BE‑së. Përveç kësaj, duhet të tregohet vëmendje ndaj standardeve teknike si harmonizimi i legjislacionit mjedisor për të përmbushur angazhimet ndërkombëtare. Në sektorin energjetik, kuadri ligjor politikave duhet të përshtatet plotësisht me objektivat e ndryshimeve klimaterike, ndërkohë që kërkohen kapacitete më të mira institucionale për të realizuar reformat në vazhdim në tregun e energjisë.

Për të arritur një reformë të suksesshme të politikave, këto rekomandime duhet të përshtaten me kontekstin specifik të çdo ekonomie, ndërkohë që duhet të merren parasysh edhe shumë mbivendosje dhe ndërlidje të qenësishme në rajon.

© OECD

This summary is not an official OECD translation.

Reproduction of this summary is allowed provided the OECD copyright and the title of the original publication are mentioned.

Multilingual summaries are translated excerpts of OECD publications originally published in English and in French.

OECD

Read the complete English version on OECD iLibrary!

© OECD (2018), Competitiveness in South East Europe: A Policy Outlook 2018, OECD Publishing.
doi: 10.1787/9789264298576-en

This is a required field
Please enter a valid email address
Approval was a Success
Invalid data
An Error Occurred
Approval was partially successful, following selected items could not be processed due to error